NË EVROPË GJETËM FRYMËN E DIALOGUT PA PARAGJYKIME
KONFERENCË SHTYPI E PARTISË SOCIALISTE
Dje në mesditë, kryesia e PS-së zhvilloi një konferencë për shtyp në mjediset e hotel "Dajti", në të cilën kryetari i kësaj partie, z. Fatos Nano, bëri një vizë të shkurtër në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e Europës, në Strasburg. Ai e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme, pasi ajo jo vetëm i krijon mundësi PS-së të njihet më gjerë me homologët e saj europianë, por edhe të paraqesë dhe të mbrojë alternativën e vet për rimëkëmbjen e vendit.
Gjatë kësaj vizite, theksoi z. Nano, u bënë takime të shumta me përfaqësues të lartë të demokracisë europiane, të institucioneve të rëndësishme politike dhe të organizmave ndërkombëtarë, ku u diskutua për situatën në Shqipëri, për zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore dhe për perspektivën e vendit. Kryetari i PS-së nënvizoi se në këto takime është gjetur një frymë mirëkuptimi dhe dialogu pa paragjykime, një gatishmëri për të dëgjuar alternativat dhe shqetësimet e opozitës socialiste shqiptare.
Ai tha se delegacioni i PS-së i njohu bashkëbiseduesit me gjendjen e rënduar ekonomike, me varfërimin e popullsisë, me krizën e besimit tek institucionet dhe me mungesën e standardeve demokratike në vend. Sipas tij, përfaqësuesit europianë shprehën interes për zhvillimet në Shqipëri dhe vlerësuan nevojën e forcimit të dialogut politik, respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisë së institucioneve dhe pluralizmit real.
Z. Nano deklaroi se PS-ja është e vendosur të kontribuojë për stabilitetin, për integrimin europian të Shqipërisë dhe për një opozitë konstruktive, por njëherësh të vendosur kundër autoritarizmit, intolerancës politike dhe varfërimit të mëtejshëm të vendit. Në konferencë iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me kontaktet e zhvilluara, me qëndrimet e organizmave europiane ndaj Shqipërisë dhe me hapat e mëtejshëm të PS-së.
(Vijon në faqen 2)